Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari njoftuan këtë të premte se bisedimet për një armëpushim, që synojnë t’i japin fund luftës në Gaza do të vazhdojnë javën e ardhshme në Kajro.

Njoftimi erdhi pasi zyrtarët e lartë amerikanë, izraelitë, egjiptianë dhe të Katarit përfunduan dy ditë bisedimesh në Doha, në përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet e mbetura midis Izraelit dhe Hamasit. Zyrtarët amerikanë dhe rajonalë shpresojnë se këto negociata të zbehin apo ndalojnë një hakmarrje të udhëhequr nga Irani pas vrasjes së liderëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut.

Gjatë bisedimeve, Shtetet e Bashkuara, të mbështetura edhe nga Egjipti dhe Katari që janë ndërmjetësuesit kryesorë, thanë se kishin paraqitur një propozim –  e që ngushton boshllëqet midis Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një armëpushimi. Detajet e propozimit nuk dihen ende. Por në një deklaratë të përbashkët, të tre qeveritë i cilësuan takimet si “serioze, konstruktive dhe të zhvilluara në një atmosferë pozitive”.

Presidenti Biden, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, tha se janë shumë, shumë më afër marrëveshjes sesa ishim tre ditë më parë”.

Zyrtarët e lartë do të mblidhen përsëri para fundit të javës së ardhshme në Kajro me shpresën për të arritur një marrëveshje bazuar në kushtet e përcaktuara në Katar, thuhet në deklaratë.

Deri në rundin e ri të bisedimeve në Kajro, ekipet e palëve negociatore do të punojnë për detajet e marrëveshjes, që përfshin çështjet që kanë të bëjnë me çështjet humanitare dhe praktikat për lirimin e pengjeve.

Klan News