Vala e të nxehtit afrikan me temperatura përvëluese që po qëndrojnë më gjatë se zakonisht, ka detyruar autoritetet e disa shteteve të Ballkanit të marrin masa.

Spikat Greqia ku masat duken të forta. Autoritetet kanë reduktuar orët e punës për ata punonjës që janë të detyruar të punojnë në ambiente të jashtme për të shmangur problemet shëndetësore që shkakton vapa e madhe.

Nga mesdita deri në orën 17.00, ata nuk lejohet të vazhdojnë punën e tyre jashtë nëse temperaturat janë 40 gradë e sipër. Masa është në fuqi të paktën deri të premten, teksa këtë javë temperaturat shkojnë deri 45 gradë Celsius.

Në të njëjtin orar, për të njëjtat arsye u mbyll këtë të mërkurë edhe Akropoli që në sezonin veror vizitohet nga mijëra turistë çdo ditë. Në vigjilencë të shtuar janë edhe ekipet zjarrfikëse për shmangien e zjarreve masive, rreziku prej të cilave shtohet shumë në këtë periudhë.

Zjarret prej temperaturave të larta janë përhapur në disa zona të Maqedonisë së Veriut, ku për shuarjen e tyre është angazhuar edhe ushtria.

Temperaturat 40 gradë kanë tharë liqenin e kripur Rusanda në Vojvodinën serbe, një fenomen që banorët vendas nuk mbajnë mend të ketë ndodhur më parë.

Tv Klan