Autorët dhe botuesit vazhdojnë të akuzojnë Ministrinë e Arsimit se ka shkelur të drejtat e tyre duke mos i pyetur ata më parë se të fillonte shtypja e teksteve të reja shkollore për arsimin parauniversitar. Teuta Mati, autore dhe njëheresh drejtoreshë e Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor të ri ka deklaruar se kjo ministri po abuzon me shtypjen e teksteve shkollore.

Teuta Mati: “Në qoftë se juve bëni një sondazh në të gjitha shtypshkronjat, ku shtypen librat shkollorë të këtij viti, ju do ta shikoni që ato libra po shtypen me siglën 2003 dhe me ISBN e vitit 2003. Pse të mos hapej ky proces që në janar, që në shkurt? E kemi këtë problem, si do ta zgjidhim më mirë, siç e kanë zgjidhur për shembull në Poloni, në Rumani etj., dhe jo ta bëjmë në këtë mënyrë, ta marrim librin, ta çojmë nëpër shtypshkronja dhe pastaj të themi do t’i paguajmë autorët në fund të vitit. Autorët kanë dinjitet.”

Ndërsa ministri i Arsimit deklaron se këto tekste shkollore janë pasuri kombëtare dhe se të drejtat e autorëve për këto tekste janë blerë nga ministria.

Luan Memushi: “Është e vendosur të kërkojë zbatimin maksimal të ligjeve që drejtojnë botimin në tërësi dhe të drejtat e autorëve në veçanti, sepse këto janë kontrata të lidhura në mënyrë sistematike midis shtetit shqiptar dhe botuesëve. Unë ju siguroj se tekstet shkollore të vitit të ri mësimor janë tërësisht të garantuara.”

Botuesja Mati hedh poshtë deklaratën e Memushit, sipas saj, nuk është e vërtetë se autorët i kanë shitur të drejtën e shtypjes së librave Minsitrisë së Arsimit, madje Mati, në emër të autorëve të tjerë të teksteve shkollorë të sistemit parauniversitar, ka deklaruar se do ta hedhë në gjyq ministrinë e Arsimit për të fituar të drejtat e tyre. /tvklan.al