Lidhur me vdekjen e emigrantit shqiptar Pëllumb Marnikollaj në një rajon policie në Greqi, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u përgjigjet kritikëve duke thënë se qeveria jo vetëm që nuk ka heshtur, por po e ndjek hap pas hapi këtë çështje. Më tej Rama ka cituar edhe deklaratën e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku thekson se hetimet për këtë çështje po vijojnë dhe po ndiqen hap pas hapi.

“Meqë disa komentues në këtë faqe, kanë ngritur shqetësimin pse po hesht qeveria për humbjen e jetës së një shtetasi shqiptar në një rajon policie në Athinë, sqarojmë se qeveria jo vetëm nuk ka heshtur, po e ka ndjekur dhe po e ndjek hap pas hapi këtë çështje!

Ja edhe deklarata e plotë që Ministria e Jashtme ka bërë në kohën e duhur për çështjen:

Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur hap pas hapi nëpërmjet të gjitha kanaleve zyrtare rastin tronditës të humbjes së jetës së shtetasit shqiptar P.M. në një rajon policie të Athinës.

Duke u shprehur familjarëve ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje tragjike, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese.

Nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore.

Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standarteve ndërkombëtare.

Pala shqiptare mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të nisur, dhe bashkëpunimit të plotë të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha të drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit.

Ambasada jonë në Athinë do të ndjekë në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t’i gjendet pranë të afërmve të viktimës

Deri në zbardhjen e plotë të situatës MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje.”/tvklan.al