Rehabilitohet blloku i banimit në Rr. “Mersim Jakupi” në kryeqytet. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky investim do i rrisë ndjeshëm vlerën pronës.

“Premtimi që kemi bërë është se pavarësisht nëse jemi në ish Bllok apo në periferi, do të punojmë me të njëjtin standard. E gjithë zona këtu, zona e Treshit, e Kodër- Kamzës, kanë qenë zona që janë zhvilluar ndër vite, sidomos në vitet ’90, kryesisht me ato mjetet rrethanore, sakrificat e familjeve që kanë kursyer gjithë lekët e emigracionit për t’u transferuar në Tiranë. Këtu do të shtohet vlera e pronës”.

Veliaj u ndal edhe tek banorët të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës dhe të mos pengojnë investimet.

“Njerëzit këtu kanë kuptuar se deri dje kanë qenë mish për top, kontingjent vetëm për të xhiruar gomat e hedhur molotov e bërë zjarr. Ky komunitet ka kuptuar se nuk bëhet më mish për top për askënd. Na kanë dhënë besimin, pikërisht se besojnë në këtë mentalitet të ri dhe në këtë frymë të re. Shumë mirënjohje komunitetit, faleminderit për durimin dhe me krahë të lehta gjithë grupit!”.

Sipas Veliajt me investimet që po bëhen në çdo cep të Tiranës, qyteti do të bëhet edhe më i sigurt për të gjithë.

Tv Klan