Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inspektoi punimet për Teatrin e Ri, dhe u shpreh entuziast për ritmin e punimeve. Nga ana tjetër tha se se i vjen keq për kohën e humbur nga bllokimet që i janë bërë projektit, duke ironizuar Alencën për Mbrojte të Teatrit.

“Kemi një cirk konstant nga një grup kllounësh, që vazhdon të djegë goma nën suazën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kur në fakt të gjithë e dinë se ajo është Aleanca për Mbrojtjen e Saliut. Rrugaçëria, djegia e gomave, goditja ndaj forcave të Policisë, dëmtimi i një objekti që është monument kulture si selia e Bashkisë së Tiranës, që nuk është prona ime, të gjitha këto nuk kanë lidhje me teatrin. Ky është një cirk i shëmtuar, është bërë shumë bajat dhe banal. Fakti që Tirana i ka braktisur totalisht, do të thotë se Tirana mezi po pret Teatrin e Ri. Ky është Teatri i Tiranës, ky është Teatri i qytetarit, ky është Teatri që do të jetë me kondicioner në verë dhe do jetë me ngrohje në dimër; ky do të jetë Teatri ku çdo aktor, flas për aktorët e mirëfilltë, jo aktorët e Saliut, do të ketë dhomën e tij personale me të gjitha kushtet”. 

Kryebashkiaku nënvizoi se qytetarët dhe aktorët presin Teatrin e Ri me kushte të mira për të punuar dhe për të shijuar shfaqjet.

“Detyra juaj nuk është të shqetësoheni për djegien e gomave, por të shqetësoheni për inxhinierinë, për pjesën teknike, për ndërtimin dhe betonimin, si dhe për të gjitha utilitetet, si ujë, drita, fibrat optike dhe energjia elektrike. Detyra jonë, siç e kërkon edhe ndarja e punëve, është të dëgjojmë edhe për ca kohë atë teatër absurd. Por, mënyra më e mirë për t’i dhënë një përgjigje djegies së gomave dhe banalitetit grotesk që krijohet me këtë ritualin për lirimin e Saliut, është ndërtimi i kësaj vepre.”

Projekti parashikon edhe një hapësirë për parking nëntokësor, si dhe të gjitha dhomat teknike që do t’i shërbejnë skenës qendrore.

Klan News