Pas Urës së Babrrusë, Tirana dhe Kamza do të lidhen shumë shpejt edhe me disa ura të tjera, që shtojnë lidhjet ekonomike mes dy qyteteve. Në takimin me strukturat e PS në Kamzë, ku u shprehu mirënjohjen socialistëve për kontributin ndër vite, Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se ndërtimi i këtyre urave nis së shpejti

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranës: Ura e parë nga disa ura që do të bëjmë, Ura e Babrrusë dhe më në fund nuk do të kemi atë pritjen. Ajo ishte një shteg i ngushtë, ku makinat prisnin në një cep apo në  tjetrin dhe ura e re me dy korsi nuk mjafton. Kështu që urgjent duhet të fillojmë urat e tjera dhe unë jam i bindur që po të vazhdojmë këtë punë siç e kemi nisur, aksi Tiranë-Kamzë do jetë aksi më i madh ekonomik, financiar, i punëdhënies, i arsimit dhe i investimeve në Ballkan.

Gjatë takimit me socialistët e Kamzës, Veliaj ironizoi edhe protestat e opozitës

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranës: Ata që qeverisnin Kamzën dhe Tiranën deri dje, shkuan me pistoletë te këndi i lodrave. I keni parë si vijnë vërdallë nëpër Tiranë, djegin goma? I keni parë sesi në fushatë xhirojnë gomat, kurse kur humbasin djegin gomat? Ata janë një parti që e ka mendjen te rrota, ndërkohë bota po flet për inteligjencën artificial, ata janë akoma te gomat. Jemi në 2024-ën dhe artikulimi politik me zjarr, me molotovë, me bomba, me vulgaritet, me të shara është diçka që i përket të kaluarës, jo vetëm të kaluarës së Shqipërisë, por të kaluarës së botës.

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se opozita nuk ka asnjë agjendë të sajën dhe kjo duket nga fakti se nuk prodhon asnjë ide. Ai ftoi qytetarët e Kamzës për mbështetje masive të PS, për të vijuar me punët e nisura.

Klan News