Pastrimi i Tiranës nga mbetjet urbane do të realizohet nga kompania shtetërore, pas braktisjes së punës nga kompanitë private që ishin pajtuar për kryerjen e shërbimit.

Kështu deklaroi kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj gjatë një takimit me strukturat përgjegjëse të pastrimit, ku puna e ECO Tiranës do të nisë fillimisht nga zonat problematike.

“Ne nuk dorëzohemi! Vendimi ishte: Meqë ata duan ta zgjidhin me presion, ne do ta marrim që tani në administrim zonën te lagjja ‘Rilindja’ te Unaza e Madhe, po ashtu edhe zonën e ‘5 Majit’ te Bregu i Lumit, dy muaj para mbarimit të kontratës së shërbimit. Kemi dy makina industriale, por presim edhe 18 të tjera”.

Kreu i Bashkisë iu përgjigj edhe sulmeve të opozitës, teksa siguroi qytetarët se puna do të vijojë.

“Mjafton të shikoni oborrin e partisë së tyre, edhe plehrat e tyre nuk i hedhin në kosh, por vijnë t’i hedhin te bashkia. E vetmja shpresë, ajo që Tirana na e dha me 60 mijë vota diferencë, është kjo skuadër, është ky ekip, janë këta njerëz të mrekullueshëm”, deklaroi Veliaj.

Gjatë këtij takimi Veliaj dha lajmin se për punonjësit e shërbimit të pastrimit do të ketë rritje pagash dhe shpërblime.

Tv Klan