Kompania “Eco Tirana” do të nisë një aksion të gjerë për pastrimin e të gjitha zonave problematike jashtë qendrës së Tiranës, pas braktisjes së punës nga kompanitë private, që ishin pajtuar për kryerjen e shërbimit. Kryebashkiaku Erion Veliaj, në një takim me punonjësit e pastrimit, tha se do të ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër ashtu edhe në periferi.

“Meqë ata duan ta zgjidhin me presion, ne do ta marrim që tani në administrim zonën te lagjja ‘Rilindja’ te Unaza e Madhe, po ashtu edhe zonën e ‘5 Majit’ te Bregu i Lumit, dy muaj para mbarimit të kontratës së shërbimit. Kemi dy makina industriale, por presim edhe 18 të tjera. Kjo do të thotë se në dy muajt e ardhshëm do duhet që të operojmë me një sens emergjence në këto zona. Do duhet të bëjmë disa punë në avancë, përpara se të vijnë të gjitha mjetet dhe pajisjet teknike”.

Erion Veliaj dha lajmin se për punonjësit e pastrimit do të ketë rritje pagash dhe shpërblime.

“Do të vazhdoj të përpiqem që, pasi të kalojmë këtë emergjencë, të vazhdojmë me rritjen e rrogave, të vazhdojmë me shpërblimet për Vitin e Ri, për të gjithë punonjësit e Eco Tiranës, të cilët bëjnë punën më të vështirë. Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve në këtë situatë kritike që po kalojmë, por unë jam i bindur se siç kemi menaxhuar çdo krizë, do e menaxhojmë edhe këtë me shumë sukses”.

Sipas kryebashkiakut, pjesë e procesit për administrimin e shërbimit të pastrimit do të bëhen edhe administratorët e njësive administrative.

Klan News