Pas administratës qendrore të Bashkisë së Tiranës, kompania e njohur gjermane e certifikimit të standardeve të shërbimit “DEKRA”, ka vlerësuar me certifikatën ISO-9001 edhe punën e Policisë Bashkiake të Tiranës. Pas marrjes së certifikimit nga drejtuesit e DEKRA-s, kryebashkiaku, Erion Veliaj tha se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe se Tirana është qyteti më i sigurt në rajon.

“E vlerësoj shumë punën që ka bërë “DEKRA” për të verifikuar. Unë e di që ende nuk jemi aty pavarësisht se ne kemi kaluar këtë test certifikimi qëllimi im është që ne të kalojmë këtë certifikim çdo 1 vit, 1 vit e gjys apo 2 vite sepse është shumë e rëndësishme që standarded që kemi kapur të mos i ulim. Sot, Tirana, kur vjen puna për rastet e krimeve të vogla, ka numrin më të ulët në rajonin tonë dhe Evropën Jugore.”

Kryebashkiaku tha se aleati i Policisë Bashkiake janë vetëm qytetarët dhe jo ata që zënë parkimin e lagjes për të bërë biznes informal apo ndërtime pa leje.

“Sot nuk ngacmon njeri dikë që shet lule apo që shet libra në Tiranë, ama dikë që zë gjithë parkimin e lagjes për të bërë një biznes informal, sigurisht që ai nuk mund të jetë aleati ynë. Dikush që ende në 2024 pretendon të ndërtojë pa leje, nuk mund të jetë aleati ynë. Dikush që shkakton zhurmë në komunitet dhe për qejfin e muzikës së tij fëmijët duhet të rrinë pa gjumë e pa bërë detyrat, ai sigurisht që s’është aleati ynë.”

Pak ditë më parë, kompania gjermane “DEKRA” vlerësoi me certifikatën ISO-9001 edhe punën e aparatit qendror të Bashkisë së Tiranës.

Klan News