Një grua 42 vjeçare e dënuar për vrasje ka varur veten në spitalin e burgut në Tiranë. P.N. u gjet e varur me çërçaf në dhomën e saj, gjë që sipas specialistëve është vërtetuar nga hetimet e para. Sipas burimeve të këtij spitali e dënuara ishte në gjëndje të rëndë depresive, madje në këto kushte ajo ka kryer sipas ekspertizës së ngjarjes edhe masakrën e të vjerrit si dhe ka plagosur me sëpatë bashkëshortin e saj në fshatin Fan të Mirditës para disa muajsh. E pandehura u dënua me 14 vjet burg nga gjykata dhe për shkak të problemeve mendore kurohej në spitalin e burgut pranë qëndrës spitalore Nënë Tereza. E sëmura ishte një nga personat që në fakt duhej të kurohej në spitalin psikiatrik. Disa muaj më parë drejtuesit e spitalit të burgut kanë deklaruar për televizionin Klan se një pjesë e të dënuarve të sëmurë mendor janë mjaft agresiv dhe me probleme mjaft të rënda dhe se mbajtja e tyre në kushtet e këtij spitali ishte thuajse e pamundur, por prej disa vitesh spitali psikiatrik i Elbasanit nuk ka pranur të mbajë dhe të kurojë këtë kontigjent pacientësh./tvklan.al