Kryeministri malazez, Milojko Spajiç i bëri thirrje presidentit të shtetit Jakov Milatoviç që të mos pengojë punën e institucioneve.

Spajiç tha se organizatat kriminale nuk janë të kënaqura me situatën aktuale politike te qëndrueshme në Mal të Zi.

Duke komentuar akuzat e presidentit Milatoviç dhe opozitës së Dritan Abazoviç, kryeministri Spajiç tha se konkurrentët e tij politikë janë kundër progresit, nuk kanë program, por vetëm ofendime.

“Më emërtoni një reformë ekonomike të Dritanit”, u tha gazetarëve shefi i qeverisë malazeze.

“Të njëjtit njerëz janë kundër dekriminalizimit të Malit të Zi, por disa nuk duan të blihen më”, tha Spajiç.

Ai shtoi se vitin e kaluar ata kanë pasur një aferë false para zgjedhjeve parlamentare, por sipas Spajiç tani është vërtetuar se premtimet e tyre ishin gënjeshtra.

“Do të merremi me një fushatë të denjë dhe me një fushatë rezultatesh. Kërkoj nga qytetarët që të na gjykojnë në bazë të rezultateve konkrete, jo në bazë te intrigave të politikës. Le të merret prokuroria me akuzat”.

Ndërkohë si shenjë e vijimit të betejës së kryeministrit Spajiç me presidentin Milatoviç është kthimi i disa ligjeve të qeverisë në parlament. Dikur aleatë ata janë përfshirë prej disa muajsh në një betejë në distancë.

Deputetët malazeze do të rikthehen në parlament më 4 dhe 5 Shtator për të miratuar ligjet e kthyera nga presidenti Milatoviç.

Klan News