Mosmarrëveshjet për mbajtjen e ushtrisë izraelite në Gaza po pengojnë një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve. Hamasi ka shprehur shqetësimin për kërkesën e fundit për të mbajtur trupat të dislokuara përgjatë Korridorit Filadelfi midis Gazës dhe Egjiptit.

Zyrtarët e Hamasit kanë bërë të ditur se plani i SHBA-së nuk përfshin një armëpushim të përhershëm. Në propozimin e majit, Biden tha se një armëpushim i përkohshëm do të shndërrohej në një ndërprerje të përhershme të armiqësive, për sa kohë që Hamasi i përmbush angazhimet e tij. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në rajon shprehur kundërshtinë amerikane për mbajtjen e ushtrisë izraelite për një kohë të pacaktuar në Gaza.

Një kornizë trefazore për një marrëveshje armëpushimi ka qenë në tryezë që nga fundi i dhjetorit, por mosmarrëveshjet e shumta midis Izraelit dhe Hamasit mbi detajet kryesore e kanë bërë të pamundur konsensusin.

Kontrolli aktual i Izraelit në Korridorin e Filadelfit i jep atij kontrollin e kufirit të Gazës me Egjiptin, i vetmi vendkalim i enklavës që nuk kufizohet me Izraelin.

Hamasi e sheh Izraelin se i ka ndryshuar kushtet dhe parametrat e tij “në minutën e fundit” dhe shqetësohet se çdo lëshim që ai bën do të pasojë nga më shumë kërkesa. Raundi tjetër i bisedimeve pritet në Kajro në ditët në vijim.

Ndërsa ka përpjekje për të arritur armëpushimit ushtria izraelite vijon sulmet. 36 palestinezë u vranë ndërsa vazhdon të zgjerojë operacionin e saj tokësor në Khan Younis dhe Deir el-Balah.

Forcat ajrore goditën gjithashtu rreth 30 objektiva në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë objektet e ruajtjes së armëve dhe vendet e lëshimit të tyre në zonën e Khan Younis.

Urdhrat e njëpasnjëshme të evakuimit të Izraelit në Gaza kanë zhvendosur 90% të 2.1 milionë banorëve të saj që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Tetor.

Klan News