Kryeministri i Indisë Narendra Modi u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për bisedime në Ukrainë. Ky ishte udhëtimi i parë i një kryeministri indian në Ukrainë që kur Kievi fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Narendra Modi i Indisë dhe Volodymyr Zelenskiy morën pjesë në ekspozitë kushtuar fëmijëve të vrarë në luftë. Para takimit me Zelenskiy, Modi vizitoi një monument të heroit të pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandhi, të instaluar në Kopshtin Botanik të Kievit.

Vizita e parë e Modi në Ukrainë pasoi një udhëtim në Moskë në korrik që shkaktoi kritika të ashpra nga Zelenskiy i cili tha se ishte një “zhgënjim i madh dhe një goditje për përpjekjet për paqen për liderin e demokracisë duke përqafuar kriminelin më të përgjakshëm në botë”. Mykhailo Podolyak, një këshilltar në zyrën e presidentit ukrainas u shpreh  se vizita e Modi në Kiev ishte e rëndësishme sepse Nju Delhi ka vërtet një ndikim mbi Moskën.

Vizita vjen në një moment kur forcat ukrainase që janë ende në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë pas inkursionit të tyre më 6 gusht, ndërsa trupat ruse po bëjnë përparime në lindje të Ukrainës.

Ndërkaq në front pas luftimeve në Bryansk dhe Kursk, tanimë ushtria ukrainase ka nisur kundërsulmin në rajonin e Kharkiv, duke përparuar 2 km katrorë. Ushtria ka publikuar një video që tregon atë që pretendon se ishin pamjet e para të një ofensive në vazhdimësi të plotë në rajonin lindor.

Është e paqartë se kur filloi sulmi. Kievi pretendon se ndër luftimet e fundit Rusia humbi rreth 300 ushtarë në katër ditë dhe një sasi e konsiderueshme e pajisjeve dhe armëve u shkatërruan. Ndërkaq një traget i ngarkuar me rezervuarë karburanti u mbyt në portin rus të Kavkaz në rajonin jugor të Krasnodarit pas një sulmi ukrainas. Trageti që mbante 30 rezervuarë karburanti pësoi dëme të konsiderueshme si rezultat i sulmit, i cili shkaktoi një zjarr.

Klan News