Pavarësia e Kosovës veç të tjerash do të kujtohet edhe nga emërtimi i shëtitores së plazhit të Durrësit.

Këshilli bashkiak i qytetit bregdetar ka marrë vendimin ta quajë “Pavarësia” këtë rrugë, ka domethënie të veçantë për popullin e Kosovës.

Pllakata ku është vendosur emërtimi i rrugës është zbuluar nga kryeministri kosovar, Thaçi, që po vijon vizitën e tij në Shqipëri, homologu i tij, kryeministri Sali Berisha, por dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit.

Shëtitorja “Pavarësia” sipas kryeministrit Thaçi do të jetë edhe më e frekuentuar se vitet e mëparshme nga pushuesit kosovar, lëvizje që do të bëhet edhe më e lehtë pas përfundimit të autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë, pika fundore e së cilës është dhe rruga e plazhit të Durrësit.

Hashim Thaçi: “Porti i Durrësit është një pikë kyçe për të ardhmen edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës. Vazhdimi me intensitet të jashtëzakonshëm të punës për përfundimin sa më të shpejtë të mundshëm të auto-rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Është një vepër kulmore. Zoti kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha, kombi do të jetë mirënjohës përgjithmonë”.

Kjo mbështetje e nënvizuar nga Thaçi për kryeministri Berisha do të vijojë edhe me projekte të tjera që do t’i shërbejnë lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy shteteve të pavarura shqiptare.

Sali Berisha: “Kosova do të ketë të gjithë mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë. Ju theksuat rrugën. Unë ju siguroj ju zoti kryeministër se rrugë të tjera do të ndërtohen në mënyrë që ato që shekuj dhe mijëvjeçarë edhe miliona vjet kanë ndarë Kosovën nga Shqipëria të bëhen të parëndësishme”.

Berisha dhe Thaçi janë ndalur dhe në qytetin e Kavajës ku pasi kanë bërë homazhe në bustin e ish-ushtarit të UÇK-së, Indrit Cara, i cili humbi jetën në luftën për pavarësinë e Kosovës, vizituan shtëpinë e prindërve të dëshmorit të kombit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka