Brazili ka qindra milionë lopë, por njëra është e veçantë. Borë e bardhë, e madhe… Ajo vëzhgohet me kamera sigurie dhe një staf i tërë kujdeset për të.

Sipas “Guinness”, Viatina-19 është lopa më e shtrenjtë ndonjëherë në botë. Vlen plot 4 milionë dollarë. Ajo është 53 muajshe, peshon 1100 kg, dy herë më shumë se një lopë mesatare e racës së saj.

Përgjatë një autostrade që kalon në zemër të Brazilit, pronarët e Viatina-19 kanë vendosur dy tabela si ‘dëshmi’ e madhështisë së saj. Ata u bëjnë thirrje fermerëve të interesuar, vendasve, studentëve të veterinarisë apo çdo personi të mundshëm që ta shohin.

Edhe pse shpesh studime të shumta kanë sugjeruar se njerëzit duhet të konsumojnë më pak mish viçi, industria e bagëtive është burimi kryesor i zhvillimit të ekonomisë në Brazil. Madje qeveria po përpiqet të krijojë tregje të reja.

Viatina është produkt i përpjekjeve shumëvjeçare të fermerëve atje.

 “Ne rrisim bagëti elitare. Më pas ato shërbejnë për të ushqyer të gjithë botën”, thotë një nga pronarët e Viatina-s, Ney Pereira.

Çmimi mbresëlënës i lopës vjen prej madhësisë së saj, pjellorisë, rezistencës ndaj sëmundjeve dhe më e rëndësishmja bukurisë. Duket sikur ajo është versioni më pranë “përsosmërisë” deri më tani./tvklan.al