Menjëherë pas rizgjedhjes për një mandat të ri pesë vjeçar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vendosur të mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim që do të mbahet më 19 shtator në Bruksel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Von Der leyen kërkon të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Megjithatë, sipas Radios Evropa e Lirë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “axhendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Përfituese të këtyre mjeteve janë: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.

Tv Klan