Ursula von der Leyen ka zbuluar ekipin e saj të Komisionerëve Evropianë dhe “postet” që do të mbajnë gjatë pesë viteve të ardhshme, duke e përshtatur atë për t’u fokusuar në sfidat e paraqitura nga ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë dhe Kina.
Shefja e Komisionit e përshkroi Komisionin e ri të përqendruar në parimet thelbësore të prosperitetit, sigurisë dhe demokracisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen: Hapi i parë që ne bëmë është të përcaktonim prioritetet tona kryesore dhe ato janë ndërtuar rreth prosperitetit, sigurisë, demokracisë. Këto janë temat kryesore. Kjo ka të bëjë me forcimin e sovranitetit tonë teknologjik, sigurinë tonë dhe demokracinë tonë. Për këtë ne duam të ndërtojmë një ekonomi konkurruese, të dekarbonizuar me një tranzicion të drejtë për të gjithë.
Von der Leyen ka emëruar gjashtë nënkryetarë ekzekutivë katër gra dhe dy burra, duke thyer kështu mitin pasi këto poste më parë mbaheshin nga burrat.
Andrius Kubilius i Lituanisë do të jetë komisioneri i parë i mbrojtjes i Bashkimit Evropian, me rolin e ri për të ndërtuar kapacitetin e prodhimit ushtarak evropian përballë agresionit rus në Ukrainë, në krahun lindor të bllokut.
Ministrja e Energjisë dhe Mjedisit e Spanjës, Teresa Ribera do të jetë komisionerja e ardhshme e bllokut, gjithashtu e ngarkuar për një tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues. Stéphane Séjourné i Francës i është dorëzuar roli si Zëvendës Presidentit Ekzekutiv për Prosperitetin dhe Strategjinë Industriale me përgjegjësi gjithëpërfshirëse mbi industrinë.
Më pas dhe jo më pak e rëndësishme është edhe posti i ish-kryeministres së Estonisë Kaja Kallas, e emëruar si kryediplomatja e bllokut nga krerët e BE në qershor. Pritet me interes qasja e Kallas, një mbështetëse e fortë e Kosovës, do të mbajë për dialogun me Serbinë. Do të shihet nëse do të ketë dhe një të dërguar të posaçëm në vend të Miroslav Lajçak.
Postin e komisioneres për zgjerim, ajo ka vendosur t’ia japë zyrtares nga Sllovenia, Marta Kos. Portofoli i anëtarësimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia, janë në proces të zgjerimit.
Kandidatura e Kosit ka shkaktuar kundërthënie në Slloveni, pasi opozita në Slloveni ka akuzuar se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë. I gjithë ekipi i komisionerëve do të duhet të votëbesohet në Parlamentin Europian.
Klan News