Vënia e shpërblimit prej 250 mijë eurosh për personat që do të japin informacione të sakta mbi autorësinë e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ka rritur fluksin e telefonatave në numrat e posaçëm të vendosur nga policia e shtetit. Po këto telefonata dhe informacionet e siguruara në rrugë operative kanë çuar grupin hetimor në ngritjen e disa pistave, të cilat nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.

Provat e mbledhura në vendin e ngjarjes si dhe dëshmitë e disa personave të pyetur nga policia, kanë ndihmuar gjithashtu në ngushtimin e rrethit të hetimeve. Janë kryer analizat shkencore dhe në gëzhojat e gjetura në vendin e krimit. Policia konfirmoi zyrtarisht se 10 persona të dyshuar se kanë dijeni për ngjarjen janë shoqëruar dhe marrë në pyetje.

Klodian Branko: “Policia e shtetit fton çdo qytetar të bashkëpunojë në dhënien e informacionit, për zbardhjen e kësaj ngjaje dhe vë në dispozicion 250 mijë euro shpërblim duke ruajtur anonimatin. Për çdo  informacion kontaktoni në numrat e telefonit 0634103251 dhe 0694107507.”

Megjithatë deri më tani ende nuk ka një version zyrtar të kësaj ngjarje kriminale për zbardhjen e së cilës janë angazhuar të gjitha strukturat shtetërore. Hetimet vijojnë intensivisht prej mbrëmjes së të shtunës kur deputeti Xhindi u qëllua me kallashnikovë rreth orës 21 e 10 minuta pak hapa larg portës së shtëpisë ku jetonte prej 10 vitesh. Autorët kanë shtënë plot 15 plumba mbi të nga një distancë e afërt, 6 prej të cilëve i përshkruan trupin.

Anduena Llabani: “Kjo është rrugica mbi të cilën mendohet që autori që qëlloi me armë deputetin e Partisë Socialiste Fatmir Xhindi të jetë larguar për ët mos lënë asnjë gjurmë. E gjithë kjo zonë është mbikëqyrur dhe është krehur nga prokurorë dhe oficerë të policisë, të krimeve të rënda, të cilët tashmë kanë marrë në dorë hetimin e kësaj ngjarje të rëndë.”

Ende nuk dihet sa persona kanë marrë pjesë në ekzekutimin e tij, dëshmi, fakte si dhe tablatet e telefonit celular të të ndjerit, duket se janë provat kryesore ku po mbështeten hetimet. Për momentin asgjë nuk thuhet, madje as emrat e miqve që e panë dhe folën për herë të fundit  me të.

Pasdite, 49-vjeçari, babai i 3 fëmijëve u përcoll për në banesën e fundit. Në një ceremoni ku morën pjesë familjarë miq ,të afërm, politikanë e qytetarë të Fierit e Roskovecit. Fatmir Xhindi u varros në Kurjan në fshatin e tij të lindjes./tvklan.al