Ekspertët kriminalistik të policisë së shtetit po hetojnë intensivisht mbi ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së shkuar ku mbeti i vrarë me breshëri automatike deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhindi, 49 vjeç, baba i 3 fëmijëve. Nga ana tjetër policia ka vënë një shpërblim prej 250 mijë eurosh për cilindo që do të japi informacionet sakta mbi autorësinë e këtij akti të rëndë kriminal.

Klodian Branko: “Lidhur me ngjarjen e rëndë që bën fjalë për vrasjen e deputetit Fatmir Xhnidi, deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime. Këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave. Sekuestrimi i 4 bërthamave të predhave dhe 5 copë kamishave të predhave. Sekuestrimi i një pako aspirinë tabletë, sekuestrimi i qeseve plasmani, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Policia e shtetit fton çdo qytetar të bashkëpunojë në dhënien e informacionit, për zbardhjen e kësaj ngjaje dhe vë në dispozicion 250 mijë euro shpërblim duke ruajtur anonimatin. Për çdo  informacion kontaktoni në numrat e telefonit 0634103251 dhe 0694107507.”

Xhindi u qellua para shtëpisë së tij, në këtë vend qe shihni në këto pamje, sapo ka mbërritur me autoveturën private, nga persona ende të paidentifikuar, nga një distancë e afërt.

Fatmir Konja: “Rreth orës 21 e 15 minuta nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të kuvendit të Shqipërisë, zotit Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit.”

Deri më tani policia nuk ka ende një piste zyrtare hetimore, ku u konfirmua edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premci, i cili mbërriti mbrëmë me urgjencë në Roskovec.

Ahmet Premçi: “Ka filluar angazhimi i strukturave të policisë së Shtetit. Në vendin e ngjarjes tashmë janë instaluar të gjithë ekspertët më të mirë, drejtues të latë të policisë. Ndërkohë po analizojmë të gjithë këto informacione të marra për të vazhduar punën më tej me qëllim që sa më parë të kemi të identifikuar autorin dhe për ta kapur atë. Nuk mund të përcaktojmë pista në këtë moment është akoma herët për të folur institucioni që unë drejtoj, në momentin e duhur do t’ju a bëjmë të qartë.”

Deputeti Xhindi është qëlluar me 6 plumba automatiku të tipit kallashnikov. Nuk është ende e qartë se sa persona kanë marrë pjesë në këtë krim. Ndërkohë që në kërkim të tyre janë vënë efektiva të policisë së qarkut të Fierit dhe forcat RENEA të mbërritura nga Tirana.

Anduena Llabani: “Trupi i deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi do të qëndrojë dhe për pak orë në shtëpinë ku ai u rrit dhe jetoi me familjen e tij për t’u përcjellë me nderimet më të thella nga e gjithë qyteza e Roskovecit për në banesën e fundit.”

Trupi i tij është sjellë në 7 e një çerek të mëngjesit ku është pritur nga familja. Shtëpia e deputetit është dyndur nga njerëz që vijnë për të dhënë ngushëllimet e para pas fatkeqësisë. Rruga për në qytezën e Roskovecit është thuajse e blinduar. Fqinjët thonë, se deputeti ishte njëri pa probleme. Familja e tij banonte thuajse ngjitur me familjen e Ilirit, vëllait të tij, në shtëpinë e të cilit u mblodhën burrat e shtëpisë pas tragjedisë.

Në drejtorinë e policisë mbahen të ngujuar 10 persona të cilët janë të vetmit dhe të fundit që janë takuar me Fatmirin pak orë para ekzekutimit në një lokal vetëm pak metra larg banesës. Identiteti i tyre mbahet sekret për momentin.

Anduena Llabani: “Kjo është rrugica mbi të cilën mendohet që autori që qëlloi me armë deputetin e Partisë Socialiste Fatmir Xhindi të jetë larguar për të mos lënë asnjë gjurmë. E gjithë kjo zonë është mbikëqyrur dhe është krehur nga prokurorë dhe oficerë të policisë, të krimeve të rënda, të cilët tashmë kanë marrë në dorë hetimin e kësaj ngjarje të rëndë.”

Asgjë nuk thuhet për momentin, madje dhe emrat e shokëve dhe miqve që e panë dhe folën për herë të fundit me të ndjerin Fatmir Xhindi./tvklan.al