23-vjeçari që qëlloi me pistoletë policin Novruz Cenalia nuk është gjetur ende nga uniformat blu.  

Blutë e Fierit kanë bindjen se autori është fshehur në zonën e Apolonisë apo Havaleas ndërsa pjesë e kërkimeve është edhe babai i të riut. Ky i fundit ka bashkëpunuar me blutë dhe nëse lokalizohet 23-vjeçari do të ndihmojë që Azgan Mërnica të dorëzohet.

Kontrolle janë ushtruar gjithashtu edhe në banesa të të afërmve të të riut. Po ashtu janë njoftuar të gjitha pikat kufitare të vendit. Disa persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje mesa tyre ka qenë edhe nëna e 23-vjeçarit. Kjo e fundit ka rrëfyer gjithë konfliktin mes dy të rinjve, ndërsa krimi ka ndodhur në sytë e saj.

Dëshmia e nënës së autorit: U konfliktuan për kalimin në rrugën e ngushtë të fshatit, dolën nga makina dhe debatuan me fjalë. U thashë disa herë “Mos, mos”, por djali nuk më dëgjoi dhe e qëlloi me pistoletë.

Në pyetje janë marrë edhe banorë të fshatit Sulaj kur jetonte 23-vjeçari por në përgjithësi këta të fundit nuk janë treguar bashkëpunëtorë me policinë. Uniformat blu janë përqëndruar vetëm tek pista e konfliktit të çastit, ndërsa dy pistat e ngritura më herët janë rrëzuar.

Është hedhur poshtë që ngjarja mund të ketë ndodhur për hakmarrje, për shkak se në vitin 2005  babi i 28-vjeçarit kur ishte me shërbim si polic në Has ka qëlluar për vetëmbrojtje një person. E po ashtu është rrëzuar poshtë pista se ngjarja mund të kishte lidhje me arrestimin e vëllait të 23-vjeçarit, Kiri Mërnica në vitin 2019 pasi ky i fundit është akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Florian Selmanit ndodhur në gusht të atij viti.

Polici 28-vjeçar Novruz Cenalia u qëllua me një plumb në kokë në fshatin Baltës, pak metra larg banesës së tij. Ai ishte me uniformën e policisë pasi ishte nisur për të shkuar në punë. 28-vjeçari ishte me origjinë nga Hasi dhe prej 4 vitesh ishte pjesë e strukturave policore, dy vite nga të cilat pjesë e Shqiponjave.

Klan News