Grindjet e shpeshta në dhomën e përbashkët u bënë shkak për vrasjen e një 82-vjeçari në një azil private në Tiranë.

Zyhdi Shehi vrau shokun e tij të dhomës Virxhil Vesho, mëngjesin e të enjtes në shtëpinë e të moshuarve “Ruaje Moshën” që ndodhet në rrugën “Ali Visha”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit. 78-vjeçari, Shehi akuzonte 82-vjeçarin Vesho se hynte në dhomë pa leje dhe i zinte krevatin, edhe pse dhoma ishte e të dyve.

Gjatë sherrit, ai e goditi disa herë me bastunin e hekurit duke i shkaktuar dëmtime të rënda, që i morën edhe jetën.

Sipas burimeve të policisë, dy të moshuarit vuanin nga disa sëmundje, si demenca, parkinsoni apo dhe skleroza.

Viktima kishte 4 vite që qëndronte në shtëpinë e të moshuarve, ndërsa autori prej pothuajse 1 viti.

Pas ngjarjes policia shkoi në azilin privat mori dëshmitë e punonjësve, drejtuesve të këtij institucioni privat  por edhe të të moshuarve. Autori u vu në pranga në azil dhe ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje.

Zyhdi Shehi është një historian dhe shkrimtar i njohur në fushën e historisë. Vitin e kaluar 78-vjeçari u shpall qytetar nderi i Kavajës.

Klan News