Grindjet e shpeshta në dhomën e përbashkët u bënë shkak për vrasjen e një 82-vjeçari në një azil private në Tiranë. Zyhdi Shehi vrau shokun e tij të dhomës Virxhil Vesho, mëngjesin e të enjtes në shtëpinë e të moshuarve “Ruaje Moshën” që ndodhet në rrugën “Ali Visha”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4.  78-vjeçari Shehi akuzonte 82-vjeçarin Vesho se hynte në dhomë pa leje dhe i zinti krevatin, edhe pse dhoma ishte e të dyve. Gjatë sherrit, ai e goditi disa herë me bastunin e hekurit duke i shkaktuar dëmtime të rënda, që i morën edhe jetën.

Sipas burimeve të policisë, dy të moshuarit vuanin nga disa sëmundje, si demenca, parkinsoni apo dhe skleroza.

“Viktima kishte 4 vite që qëndronte në shtëpinë e të moshuarve, ndërsa autori prej pothuajse 1 viti.”

Pas ngjarjes policia shkoi në azilin privat mori dëshmitë e punonjësve, drejtuesve të këtij institucioni privat, por edhe të të moshuarve.

Autori u vu në pranga në azil dhe ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje.

Pas kësaj ngjarje janë arrestuar dy infermieret e azilit privat. Ato akuzohen për moskallëzim të krimit. Pasi e konstatuan të moshuarin të vdekur, morën në telefon agjensinë funerale dhe jo policinë. Para hetuesve deklaruan se vdekja mund të kishte ardhur nga rrëzimi në dhomë dhe jo se është vrarë.

Zyhdi Shehi është një historian dhe shkrimtar i njohur në fushën e historisë. Vitin e kaluar 78-vjeçari u shpall qytetar nderi i Kavajës.

Klan News