Vajza që shihni në këtë video, me maskë Covid është Hygerta Meta, 19-vjeçarja e cila akuzohet për vrasjen dhe groposjen e babait të saj, Pëllumb Meta (Lexo më shumë).

Pamjet që përcjell gazetarja Enkeleda Arapi, vijnë nga shtëpia e familjes Meta në Shënavlash të Durrësit, aty ku u zbulua krimi i rëndë.


Siç mund të shihet, 19-vjeçarja mbahet për krahu nga një oficere policie, ndërsa hetuesit i bëjnë pyetje. Pikërisht tek kjo kasolle që ndodhet në oborrin e shtëpisë, ajo varrosi të atin, pasi e ekzekutoi atë me armë zjarri.

Në foto autorja e dyshuar, Hygerta Meta
Në foto autorja e dyshuar, Hygerta Meta

19-vjeçarja, studente për Administrim Biznes në Tiranë, e ka pranuar krimin dhe ka deklaruar se e vrau të atin sepse ai donte ta martonte pa dëshirën e saj. Ajo po ashtu ka deklaruar se krimin e ka kryer e vetme, se e ka vrarë të atin me pistoletë në katin e dytë të shtëpisë dhe më pas e mbështjellë me qese dhe e ka groposur në kasolle.

Dyshimet e hetuesve janë se ajo mund të mos ketë vepruar e vetme dhe të jetë ndihmuar nga familjarët.


Ndaj dhe për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, hetuesit e kanë çuar atë pikërisht në skenën e krimit, ku e reja po tregon hap pas hapi gjithçka ka ndodhur. Autoritetet po kërkojnë edhe armën e krimit, që nuk kanë mundur ta gjejnë ende.

Trupi i 50-vjeçarit Pëllumb Meta u zbulua mëngjesin e kësaj të premteje, 10 ditë pasi ishte denoncuar i zhdukur nga djali i tij 25-vjeçar.

Ndërkohë, nga vendi i ngjarjes, gazetari Besar Bajraktaraj thotë se trupi i viktimës u zbulua pas marrjes në pyetje të 19-vjeçares. Ishte kjo e fundit që u tha ekzaktësisht se ku ishte i varrosur i ati.


Gazetari po ashtu tha se dyshimet janë se familjarët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për ngjarjen e rëndë. Prej mëngjesit në polici vijon të jetë bashkëshortja e viktimës, së bashku me djalin që bëri denoncimin.

Ka disa detaje që i bëjnë hetuesit të besojnë se krimin, 19-vjeçarja nuk e ka kryer e vetme. Ndër to është edhe fakti se makina e viktimës, që u gjet 4 ditë pas zhdukjes në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia, u dërgua nga një person që nuk rezulton të jetë 19-vjeçarja, siç në fakt ajo pretendon.

Deri më tani ajo mësohet se ka qenë mjaft bashkëpunuese me hetuesit, megjithatë nuk raportohet të ketë shprehur pendesë për krimin./tvklan.al