Një ngjarja sa e rëndë, aq dhe e pazakontë vjen mëngjesin e kësaj të premteje nga fshati Shënavlash i Durrësit. Një 50-vjeçar u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij, një krim për të cilin policia ka vënë në pranga të bijën. Viktima është Pëllumb Meta, ndërsa autore e dyshuar 19-vjeçarja Hygerta Meta. Motivi? Të paktën sipas asaj që ka deklaruar vetë e reja, insistimi i të atit për ta fejuar pa dëshirë.

Në foto viktima, Pëllumb Meta
Në foto viktima Pëllumb Meta

E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit.

Në foto autorja e dyshuar, Hygerta Meta
Në foto autorja e dyshuar, Hygerta Meta

4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.

Trupi i tij u gjet i mbështjellë me qese dhe i groposur në kasolle, mëngjesin e kësaj të premteje (Lexo më shumë).


19-vjeçarja, studente në degën Administrim Biznes në Tiranë, e ekzekutoi të atin me armë zjarri, dyshohet me një pistoletë që viktima e kishte pa leje. Sipas policisë, e reja e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare.

Ajo mësohet të jetë shprehur se e vrau atë në katin e 2 të shtëpisë, më pas e mbështolli me qese dhe e groposi në kasolle (Lexo më shumë). Gjithçka pretendon ta ketë kryer e vetme.

“Babain e vrava se donte të më martonte me dikë që unë as nuk e doja. Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë. Unë planifikova se si mund të shpëtoja nga kjo fejesë. E vetmja mënyrë ishte ose të arratisesha nga shtëpia ose të vrisja babain. Një ditë nisëm të debatonim prap kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryer e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”, mësohet të ketë deklaruar ajo në dëshminë e dhënë pas arrestimit.

Gjithnjë sipas dëshmisë së saj, i ati donte ta martonte me një emigrant në Itali.


Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Për këtë arsye në polici janë shoqëruar bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tjerë të çiftit, nën dyshimin se mund të jenë të përfshirë, apo të kenë dijeni për këtë ngjarje (Lexo më shumë).

“Pavarësisht se vajza pretendon dhe këmbëngul që gjithë krimin e ka kryer vetë dhe fshehjen e trupit të tij e ka bërë po vetë, për hetuesit konsiderohet diçka e pamundur dhe në momentin që ka ndodhur ngjarja policia dyshon se pjesëtarë të tjerë të familjes kanë qenë prezentë”, raporton gazetarja, e cila shton se viktima ishte person autoritar, por nuk ishte raportuar asnjëherë si i dhunshëm nga familja e tij.


Disa orë pas zbulimin të ngjarjes, e shoqëruar nga hetuesit, 19-vjeçarja u rikthye në skenën e krimit, për të treguar të gjithë dinamikën. Deri më tani ajo mësohet se ka qenë tejet bashkëpunuese. Nga vendi i ngjarjes, gazetari Besar Bajraktaraj thotë se trupi i viktimës u zbulua pas marrjes në pyetje të 19-vjeçares. Ishte kjo e fundit që u tha hetuesve ekzaktësisht se ku ishte i varrosur i ati.


Gazetari po ashtu tha se dyshimet janë se familjarët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për ngjarjen e rëndë. Prej mëngjesit në polici vijon të jetë bashkëshortja e viktimës, së bashku me djalin që bëri denoncimin.

Ka disa detaje që i bëjnë hetuesit të besojnë se krimin, 19-vjeçarja nuk e ka kryer e vetme. Ndër to është edhe fakti se makina e viktimës, që u gjet 4 ditë pas zhdukjes në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia, u dërgua nga një person që nuk rezulton të jetë 19-vjeçarja, siç në fakt ajo pretendon (Lexo më shumë).


Ndërkohë, trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur nga shtëpia e tij dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme. Pritet që ekspertët të përcaktojnë edhe kohën kur ai u vra. Paraprakisht mësohet se në trupin e tij janë gjetur të paktën 4 plagë.

Gazetarja Enkeleda Arapi përcolli edhe reagimet e para të të afërmve të viktimës. Për gazetaren ka folur krushku i 50-vjeçarit, të cilit djali i ka për nuse vajzën tjetër të Pëllumb Metës. Ky i fundit ishte baba i 2 djemve dhe 2 vajzave.

“Ne e njohim për familje shumë të mirë. Nuk kemi pasur asnjë lloj dyshimi se çfarë konfliktesh kanë në shtëpi. Për zhdukjen ka rreth 2 javë që na kanë thënë, që nuk ka ardhur në shtëpi, ka humbur. U interesonim, pyesnim nëse është gjetur, absolutisht. Më vonë kemi marrë vesh që është gjetur makina tek Parku rinia. Sot na njoftuan që është gjetur”, tregoi krushku i viktimës.

I njëjti e njeh edhe vajzën 19-vjeçare që është arrestuar si autore e dyshuar e krimit. Ai thotë se Hygerta nuk vriste dot një pulë, e jo më një njeri. “Dëgjo nuk dua të futem në këto çështje, se këto janë çështje personale, familjare, ajo vajza nuk mbyt dot një pulë, jo njeri”, tha ai (Lexo më shumë).


“Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. Meta, 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, Pëllumb Meta 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të. Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të Pëllumb Metës, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së Pëllumb Metës. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme”, tha policia e Durrësit në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al