Një emigrant shqiptar i quajtur L. B. 36-vjeç nga Gramshi ka mbetur i vdekur pas një trajtimi çnjerëzor të bërë nga ana e një polici grek. Ngjarja ka ndodhur në 13 gusht në një lokal të kryeqytetit grek Athinë ku disa policë grekë kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm ndaj disa emigrantëve shqiptarë të ndodhur në një kafene.

Dëshmitarët, që kanë qenë në këto momente në lokal, dëshmojnë se gjatë kontrollit emigrantët shqiptarë janë fyer dhe ofenduar si pasojë e shtetësisë së tyre. Ky ka qenë dhe shkaku qëL B. i ka kthyer përgjigje policit grek që të mos e fyejë në atë mënyrë, por polici grek ka nxjerrë armën e tipit pistoletë duke goditur emigrantin në kokë me pjesën e tytës. Pikërisht ka qenë kjo goditje fatale dhe sakaq emigranti është shtrirë në tokë pa ndjenja ku më pas është shoqëruar në Spitalin e Athinës nga bashkatdhetarët e tij.

Pas 11 ditësh në gjendje kome ai ka vdekur si pasojë e hemoragjisë cerebrale. Trupi i tij më pas ka ardhur në Gramsh ku dhe është përcjellë për në banesën e fundit. Babai i viktimës ka bërë të ditur se çështja do të ndiqet nga një avokat grek pasi edhe ekspertiza e trupit të djalit të tyre është bërë në Spitalin e Athinës.

Gjatë këtij viti, vetëm në qytetin e Elbasanit dhe Gramshit, janë kthyer nga Greqia të vdekur trupat e 5 emigrantëve shqiptarë që punonin në Greqi. /tvklan.al