Një 21-vjeçare ka mbetur e vrarë dhe vëllai i saj 15-vjeçar është plagosur këtë të premte në Kosovë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orë 14 e 40 minuta në zyrat e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ndërsa policia arrestoi ish-bashkëshortin e së resë si autor të dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë.

Sipas prokurorisë në Ferizaj, dyshohet që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve.

Të dy ish-bashkëshortët që ishin në proces divorci kanë patur mosmarrëveshje për çështjen e kujdestarisë së fëmijës dhe për t’i zgjidhur ato janë takuar në zyrat e Qendrës për Punë Sociale.

Ata kanë debatuar sërish me njëri-tjetrin dhe në një moment ish-bashkëshorti ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi ish-gruan e tij, e cila ka mbetur e vdekur.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe vëllai i viktimës, i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Autori 36-vjeçar mësohet se ka kërcënuar edhe një punëtore sociale në këtë qendër dhe pasi ka kryer vrasjen ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar nga policia disa minuta më pas.

Tv Klan