Ranë në pritë në Leposaviq, u raportua për bllokim të urës nga dy kamionë pa targa. Kryeministri Kurti: Sulm terrorist ndaj forcave të policisë dhe republikës

Polici kosovar me gradën rreshter Afrim Bunjaku është vrarë në krye të detyrës pranë fshatin Banjskë pranë Zveçanit në një përleshje me grupet kriminale serbe që veprojne në veri ku edhe një polic është plagosur e ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.

Është bërë heqja e predhës ne krahun e majtë të policit të plagosur, por ai ka një lëndim edhe në këmbën e djathtë nga arma e zjarrit.

Polici i vrarë Afrim Bunjaku, është me origjinë nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë.

Bunjaku bëhet polici i dytë i Republikës së Kosovës që vritet në veri teksa ishte në detyrë pas Enver Zymberit, nga Dubovci i Vushtrrisë që u vra nga serbët më 26 Korrik 2011.

Sipas policisë së Kosovës ngjarja e rëndë ku gjeti vdekjen polici Bunjaku ndodhi rreth orës 02:34 pasi njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy kamionë pa targa, ku me është bllokuar hyrja në këtë fshat. Bëhet fjalë për segmentin rrugor nga Mitrovica për në Leposaviq.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, janë nisur me tri njësi në drejtim të vendngjarjes dhe kur kanë mbërritur aty ku ishte raportuar për barrikada, ata janë sulmuar me armë zjarri dhe me granata dore nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara e të armatosura.

Njësitë policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga vendngjarja janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi sulmues është fshehur në Manastirin e Banjskës dhe ende ka të shtëna mes palëve.

Për shkak të situatës së rëndë pika kufitare në Bërnjak është mbyllur për hyrje të njerëzve e mallrave nga Serbia.

Klan News