Vetëm pak orë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi me 77 vota pro dhe 22 kundër programin dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, kryeministri i qeverisë teknike, Talat Xhaferi i ka dorëzuar detyrën pasardhësit Hristian Mickoski.

Krahas ceremonisë së dorëzimit të detyrës, Mickoski dhe Xhaferi zhvilluan edhe një takim të shkurtë, ku ky i fundit, ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë për çështjet e rëndësisë strategjike.

“Vlerësuam zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike si vlerë e shtuar e proceseve eurointegruese. Shpreha shpresë se subjektet politike do të tregojnë nivel të lartë të vetëdijes politike dhe do të jenë të hapur për bashkëpunim për prioritetet strategjike të shtetit”, u shpreh Xhaferi.

Ndërkaq, Mickoski paralajmëroi reforma dhe investime të menjëhershme.

“Vizioni im është i orientuar drejt zhvillimit ekonomik, kohezionit social dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ngelemi të përkushtuar në zgjidhjen e çështjeve urgjente me të cilat përballemi dhe punë drejt një shteti të unifikuar dhe prosperues”, tha Mickoski.

Përpos në qeveri, ceremonia e dorëzimit të detyrës u zhvilluan edhe në disa ministri të tjera. Qeveria e re përbëhet nga ministra që vijnë nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe Lëvizja ZNAM.

Tv Klan