Partia Demokrate e Re hedh pas krahëve mosmarrëveshjet e deritanishme me Partinë Demokratike dhe tregohet e gatshme të ulet në një tryezë dhe të krijojë aleancë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nënkryetari i Partisë Demokrate të Re Ferdinand Xhaferri shprehet se mazhoranca socialiste nuk është në gjendje të mbajë pushtetin, që do të thotë se situata politike është mëse e favorshme për ardhjen e opozitës në pushtet. Në këtë kuadër Partia Demokrate e Re kërkon të bashkëpunojë me Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ferdinand Xhaferri: “Opozita duhet t’i thërrasë mendjes, socialistët po rrinë jo sepse e meritojnë të rrijnë, por se realisht nuk ka akoma një forcë bindëse që të shikojë si shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtar dhe t’i mbushë mendjen që këta duhet të largohen në këtë prizëm dhe ky objektiv madhor që ka opozita duhet të shërbejnë si arsyeja thelemore për të shkrirë të gjitha mosmarrëveshjet e vjetra dhe të reja dhe për të qenë në unison.”

Nëse Partisë Demokrate të Re do t’i dështojë tentativa për të bërë aleancë me partinë më të madhe të opozitës, nuk do të bashkëpunojë me Partinë Socialiste. /tvklan.al