Nje ditë përpara votimit në qeverisë teknike, kryeministri i mandatuar, Talat Xhaferi ka paraqitur në Kuvend emrat e ministrave dhe programin. Zëvendëskryeministri i parë do t’i takojë LSDM-së, Bojan Mariçiç, qe mbulon edhe Çështjet Evropiane. Shqiptarët në qeverinë teknike nuk do të kenë vetëm kryeministrin, por edhe tetë ministra e zëvendësministra.

Bujar Osmani do të mbesë ministër i Jashtëm, ndërsa Artan Grubi që mbante funksionin e Zv/Kryeministrit të Parë, do të jetë Ministër për Sistem Politik. Opozita VRMNO-DPMNE do të ketë ministrin e Brendshëm, si dhe disa ministri dhe zëvëndësministra.

Qeveria teknike do të ketë si detyrë mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit. Së bashku me to, mbahet edhe raundi i dytë për zgjedhjet e presidentit. Kjo është hera e parë që më qeverinë në Maqedoninë e Veriut caktohet një kryeministër shqiptar. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një video-mesazhi,e ka cilësuar këtë si historike.

“Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t`i prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah më krah, bashkë, për një Maqedoni Europiane.”

Ai thotë se ka besuar në Marrëveshjen e Ohrit, zyrtarizimin e flamurit dhe Gjuhës Shqipe, por ka besuar se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e NATO-s dhe do t`i hapë negociatat për anëtarësim në BE.

Klan Macedonia