Festimi me shqiponjë do të jetë i ndaluar në kombëtaren e Zvicrës. Në konferencën që shoqëroi grumbullimin e përfaqësueses për Ligën e Kombeve, jo rastësisht ishin përzgjedhur tre lojtarët që kryen gjestin në ndeshjen e botërorit me Serbinë, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe kapiteni Lichtsteiner. Bashkë me ndjesën publike, futbollistët premtuan se ky gjest nuk do të përsëritet.

“Do të ishte budallëk po ta bëja sërish. E kemi diskutuar edhe me ekipin dhe trajnerin që nuk do të ndodhë më në të ardhmen… dhe kaq”, tha Xhaka.

“Ndoshta ishte e tepruar. Do doja të kërkoja ndjesë, nëse shumë njerëz janë ndjerë të sulmuar”, tha Shaqiri.

Ndërsa Stephan Lichtsteiner tha se “ajo që më ka çuditur janë dy muajit e fundit për debatet që ndodhën, se si ato u trajtuan. Nuk e besoja dhe vazhdoj të mos e besoj që kombëtarja nuk ka mbështetje dhe popullaritet.”

Megjithatë dy lojtarët me origjinë shqiptarë nuk e fshehën keqardhjen për mënyrën sesi u komentua festimi me shqiponjë.

“Mund të them vetëm që gjithçka e bëra nga gëzimi, nga emocionet. Njerëz të ndryshëm i dhanë interpretime të ndryshme”, tha Xhaka.

Ndërsa Shaqiri shtoi se“ajo që më befason është fakti që më shumë u përqendruan te gjestet, sesa te rezultati i lojës dhe golat që shënuam”.

Festimi me shqiponjë hapi debatin nëse lojtarët me origjinë të huaj duhet të jenë pjesë e përfaqësueses zvicerane. Polemikat çuan në dorëheqjen e sekretarit të Federatës, ndërsa Valon Berhami e komentoi përjashtimin nga kombëtarja si një veprim me prapavijë politike.

Tv Klan