Mbrojtja e Albert Xhanit do të dërgojë shumë shpejt në gjykatë ankimin për shkak të arrestit dhe mbajtjes në burg të presidentit të “Partizanit”. Prokuroria ka tërhequr nga gjykata aktet gjyqësore të dorëzuara më parë për veprën penale ‘tjetërsim pasurie’. Avokati i tij Fatmir Braka ka hedhur poshtë akuzat e ngritura për tjetërsim pasurie duke e konsideruar shkelje ligjore hapjen e një procesi për një vepër të amnistuar pas ligjit të marsit të ‘97-ës. Ky procedim është pretenduar më parë se do të bashkohet me një tjetër dosje me akuzën ‘shpërdorim detyre’. Sipas akuzës, Albert Xhani nuk ka paguar detyrimet pranë Ministrisë së Mbrojtjes për kohën që është president i “Partizanit”. Prokuroria ka kërkuar të bashkojë çështjen me procedimin për veprën tjetër penale ‘shpërdorim detyre’, por burime nga prokuroria bëjnë të ditur se për këtë vepër ende po hetohet dhe nuk është ngritur zyrtarisht akuza ndaj Xhanit. Ky fakt ngre dyshimin se akuza e dytë bëhet për të justifikuar arrestimin dhe mbajtjen në arrest të presidentit të “Partizanit” Xhani. Sipas avokatit, me një akuzë për një vepër penale të amnistuar dhe një tjetër vepër të hetuar, por ende të pa verifikuar deri në masën e procedimit penal, mbajtja në burg e Albert Xhanit është hapur një shkelje ligjore. /tvklan.al