Zgjedhjet e vitit 2005 rrezikojnë të hyjnë në krizë. Edhe pse të cilësuara si vendimtare për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë, forcat politike duket se nuk kanë ndërmend të tolerojnë. Procesi zgjedhor mund të dështojë për shkak të divergjencave mes dy forcave politike kryesore në vend. Partia Socialiste, pas mbledhjes së komisionit të problematikave elektorale, u shpreh e qartë për mosndryshim të përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ylli Bufi: “PS-ja është për një zgjidhje të tillë që të respektojë plotësisht kushtetutën e vendit. Pra një komision zgjedhor të paanshëm profesional që të respektojë institucionet kushtetuese që bëjnë propozimet e kandidaturave për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për shkak të këtyre qëndrimeve të ndryshme, që me sa duket janë të ndryshme, ne mbështetëm inciativën që mori kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Socialiste që fton strukturat e ODIHR-it, ekspertët e tyre që kanë përgatitur këtë raport, të marrin pjesë direkt në përcaktimin e saktë të formulimeve që do të bëhen për këtë çështje.”

Kjo rrezikon që situata politike të ndizet, pasi Partia Demokratike ka vendosur si kusht themelor ndryshimin e formulës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ylli Bufi: “Dhe padyshim, një rol të rëndësishëm do të kenë institucionet ndërkombëtare në këtë çështje.”

Komisioni i problematikës elektorale pranë Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste vendosi që pragu elektoral si dhe sistemi zgjedhor të mos ndryshojnë ndërsa për listat e zgjedhësve t’u jepen më shumë kompetenca organeve të qeverisjes vendore. /tvklan.al