Partia socialiste nuk heq dorë nga propozimi i saj për bërjen e komisionit shtetëror për kthimin dhe kompensimin e pronave. Një ditë më parë kuvendi ndërpreu punimet pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes socialistëve dhe demokratëve ndaj nenit 15 të ligjit të pronave. Opozita deklaroi se nuk do të miratojë në tërësi këtë ligj në rast se kryetari i komisionit nuk zgjidhet nga presidenti i Republikës. Socialisti Ylli Bufi argumenton se do të ishte më mirë që të 5 anëtarët të ishin teknikë të përzgjedhur nga qeveria, por duke patur parasysh debatet politike, 2 anëtarë i janë besuar opozitës.

Ylli Bufi: “Ne mendojmë që për zbatimin me sukses të këtij ligji kaq të rëndësishëm dhe me kaq shumë çështje që duhen marrë në konsideratë, është e domsodoshme që ekzekutivi të mbajë përgjegjësinë për zbatimin e këtij projektligji dhe që ta mbajë përgjegjësinë ky komitet duhet të varet nga Këshilli i Ministrave.”

Kreu i grupit parlamentar socialist Ruçi një ditë më parë u shpreh në Kuvend se do të dëgjohen ekspertët e OSBE-së për këtë çëshjte, por kreu i komisionit të ekonomisë thotë se nuk është e nevojshme një gjë e tillë.

Ylli Bufi: “Dhe me sa kemi parë ne, e kemi konsultuar literaturën e vendeve të tjera, në tëra vendet është kështu, në qoftë se ne duam pastaj të fusim koncepti e KQZ-së te ky komitet, është vërtet për të ardhur keq.”

Braktisja e seancës nga deputeti Zyhdi Pepa në shenjë proteste ndaj projektligjit të pronave është parë si shenjë xhelozie nga socialistët dhe jo si qëndrim kundër vendimit unanim të grupit parlamentar për të miratuar projektligjin për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronave.

Ylli Bufi: “Ky profesori, që i njeh mjaft mirë këto çështje, me sa duket ka dhe probleme të mënyrës se si komisioni i ekonomisë apo i ligjeve morën prioritet ndaj komisionit të bujqësisë.” /tvklan.al