Adrew Bode u filmua nga kamera e një lavazhi

Ky që shihni në foto është Andrew Bode, i shpallur në kërkim si ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa. 44-vjeçari, i cili më herët ka përdorur dhe emrin Ervin, ka lindur ne Berat dhe është banues në Tiranë.

Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit, ilegalisht pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar.

Burime të grupit hetimor treguan për Tv Klan edhe mënyrën se si ai u identifikua së bashku me Albano Velon të cilët shihen dhe në këtë foto.

Ai u filmua nga kamerat e sigurisë së një lavazhi afër vendngjarjes, teksa shfaqet me një makinë tip Audi, të cilën Albano Velo e dërgoi për ta larë.

Kjo makinë me shofer 30-vjeçarin është përdorur për ruajtjen e lëvizjeve të biznesmenit si dhe për të marrë ekzekutorin, Andrew Bode pas krimit.

Andrew Bode ka mbërritur në vendin e ngjarjes me një Smart të marrë me qira.

Pasi ka qëlluar mbi Edmond Papën, është larguar me Audin e drejtuar nga Velo. Kanë udhëtuar së bashku në autostradën Tiranë – Durrës, janë kthyer e kanë ndaluar në një pikë karburanti dhe Bode ka zbritur në zonën e Astirit. Më pas Bode ka marrë një taksi dhe është drejtuar drejt banesës së tij në zonën e Kodrës së Diellit.

Të nesërmen, më 17 Nëntor, ai ka marrë nga vendi i krimit Smartin që kishte lënë të parkuar.

Policia dyshon se krimi mund të ketë lidhje me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në atentatin me tritol të Qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.

Bode dhe Velo rezultojnë të kenë njohje me Sadikajn, por nuk është ende e qartë lidhja apo konflikti që mund të kenë pasur Sadikaj dhe Papa me njëri – tjetrin.

Policia nuk përjashton edhe mundësinë që ata të jenë paguar për vrasjen e biznesmenit.

Tv Klan