Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se është e pashmangshme që armët perëndimore të përdoren kundër Rusisë. Bëhet fjalë për armë me rreze të gjatë veprimi, me të cilat mund të kryen sulme nga Ukraina edhe brenda territorit rus, raste për të cilat Moska ka paralajmëruar se do t’i konsiderojë si goditje nga ushtritë e vendeve të origjinës së armëve.

Deklaratën, Zelensky e bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Kiev, ku tha se ushtria ukrainase është e detyruar t’i përdorë këto armë si pjesë e strategjisë mbrojtëse nga rusët. Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga vende si Britania e Madhe janë kategorikisht kundër përdorimit të tyre për sulme jashtë Ukrainës.

Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi gjatë vizitës së tij në Kinë, se ushtria ruse po e zgjeron zonën e demilitarizuar në lindje të Ukrainës edhe në rajonin e Harkivit. Sipas Putinit, ushtria ruse ka hyrë në këtë zonë për të larguar prej andej, armatimet ukrainase që kryejnë sulme drejt territorit rus. Shefi i Kremlinit tha se zona do të ketë një gjerësi deri 70 kilometra larg kufirit, por nuk do të përfshijë qytetin e Harkivit.

Tv Klan