Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Partia Socialiste do të ketë 3 drejtues politikë. Krahas Erion Veliaj që ka qenë, u shtuan edhe Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan, tha se kjo përzgjedhje e kryesocialistit Edi Rama ka qenë edhe para 3 vitesh.

“Po të kujtojmë para 3 vjetësh, prapë Tirana ka qenë e drejtuar me 3 personalitete; Ervin Bushati, Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj. Pra jemi në të njëjtat kushte si në 2021. Nuk ka asnjë ndryshim nga vitit 2021. Ashtu siç është dhe sot, në Tiranë do ketë ministra, drejtues të lartë, sepse Tirana është jo pak por mesa pritet do ketë 40 mandate deputetësh. Në Tiranë do përpiqen të gjithë, të gjithë tentojnë Tiranën, sepse votat janë shumë”.

Klosi shpalli edhe synimin e PS sa mandate deputetësh kërkon që të fitojë në Tiranë.

“Tirana është gara më e madhe, ka më shumë mandate, territori më i madh, do jemi shumë forca që të punojmë. Objektivi jonë është të marrim jo gjysmën si herën e kaluar, kërkojmë më shumë, të marrim më shumë, kemi drejtues bashkish që janë tashmë të konsoliduar”.

Blendi Klosi foli edhe për rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i PS, dhe detyrën e re të Taulant Balla që është drejtues politik për votat e Diasporës.

“Sekretari i Përgjithshëm i partisë do të ketë detyra më të shtrira në qarqe, akoma nuk është vendosur ku do kandidoj unë apo drejtuesi politik i diasporës. Taulant Balla do të ketë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, është një gjë e re, përpjekjet do jenë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 6 muajve”.

/tvklan.al