Teksa Europa Qendrore përballet me përmbytjet më të rënda ndër vite në pjesën jugore të kontinentit ka zjarre.

Në Portugali të paktën 2 persona kanë humbur jetën nga zjarret që kanë përfshirë pjesën qëndrore dhe veriore të vendit.

Autoritetet  kanë evakuar fshatrat dhe janë detyruar të mbyllin autostradat. Për shkak të situatës së rënduar qeveria portugeze i ka kërkuar ndihmë Bashkimit Evropian për më shumë avionë. Qeveria kërkoi tetë avionë të tjerë nga Komisioni Evropian dhe dy mbërritën nga Spanja teksa dy priten nga Franca. Greqia do të dërgojë dy avionë Canadair CL-415.

Gjithsej 12 avionë po ndihmojnë në shuarjen e të paktën 20 vatrave zjarreve në të gjithë vendin. Situata është më e rrezikshme në komunën Aveiro, ku flakët kanë arritur në periferi të qytetit Albergaria-a-Velha ku disa shtëpi janë shkatërruar.

Më shumë se 5000 zjarrfikës janë në luftë me flakët në të gjithë vendin. Të paktën 12 prej tyre janë lënduar dhe dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Situata ka të ngjarë të përkeqësohet për shkak të kushteve jashtëzakonisht të thata dhe erërave të forta që kanë shkuar deri në 70 km /orë .

Klan News