Nivelet e ujit në qytetin jugor polak të Nysa-s nisën të bien pas një nate përpjekjesh nga zjarrfikësit dhe banorët për të mbrojtur qytetin duke ndërtuar mur me thasë rëre.
Kryetari i bashkisë së Nysa, një qytet me mbi 40,000 banorë, kishte urdhëruar një evakuim të menjëhershëm për shkak të përmbytjeve. Spitali i qytetit filloi evakuimin rreth mesnatës, me pacientët më të sëmurë rëndë duke u transportuar me varka dhe ambulanca. Policia vendosi helikopterë për të shpëtuar banorët e bllokuar në shtëpitë e tyre nga përmbytjet në qytetin verior çek të Ostravës.
Banorët e disa zonave të Polonisë dhe Republikës Çeke filluan pastrimin pasi përmbytjet më të këqija në mbi dy dekada që kanë lënë një gjurmë shkatërrimi. Nga Rumania në Poloni stuhia Boris ka rritur bilancin e të vdekurëve në 17. Në Rumani, përmbytjet vranë shtatë persona gjatë ditëve të fundit. Në Austri, dy burra të moshës 70 dhe 80 vjeç u gjetën të mbytur në shtëpitë e tyre, ndërsa në Republikën Çeke tre persona janë konfirmuar të vdekur.
Zonat kufitare midis Republikës Çeke dhe Polonisë janë të goditura më rëndë pasi shiu i dendur që ka rënë që nga java e kaluar dhe nivelet e larta të ujit shembën disa ura, detyruan evakuime dhe dëmtuan makina dhe shtëpi.
Qytetet e prekura nga përmbytjet në Republikën Çeke përpos pastrimit kanë nisur edhe vlerësimin e dëmeve. Qeveria e Polonisë shpalli një gjendje fatkeqësie natyrore në zonat e prekura dhe ka akorduar një fond 260 milionë dollarë për të ndihmuar viktimat. Kryeministri Donald Tusk tha se ishte në kontakt me liderët e vendeve të tjera të prekura dhe se do t’i kërkonin Bashkimit Evropian ndihmë financiare.
Ndërkaq edhe Bratislava dhe Budapesti po përgatiten për përmbytje të mundshme ndërsa lumi Danub është rritur në nivele të frikshme. Ministri i Brendshëm hungarez Sandor Pinter tha se përpjekjet ishin përqendruar në mbajtjen e lumit dhe degëve të tij brenda brigjeve të tyre dhe se deri në 12,000 ushtarë janë vendosur në gatishmëri për të ndihmuar njerëzit.
Klan News