Një vit pas shpërthimit tragjik të 15 marsit në  Gërdec, Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, ka shprehur mirënjohje për stafin mjekësor për ndihmën e shpejtë që u dhanë të lënduarve. Në përkujtim të 15 marsit Godo deklaroi se kjo ngjarje njerëzore nuk duhet të përdoret për qëllime të tjera.

Anila Godo:U shpreh edhe një herë ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, siç kam bërë me shpirt shumë herë dhe them që nuk është njerëzore që ky përvjetor të përdoret për qëllime të tjera. Shfletova dosjen që disponon ministria lidhur me këtë ngjarje dhe ndiej detyrim të shpreh më shumë respekt mirënjohjen për aparatin e ministrisë që kryesohej nga Zoti Nard Ndoka, për organizimin e menjëhershëm të gatishmërisë në koordinim me strukturat e tjera qeveritare. Dua t’u shpreh mirënjohjen drejtuesve, mjekëve, infermierëve, sanitarëve, shoferëve e tërë atyre që shërbyen pa kursyer veten për të shpëtuar njerëzit e lehtësuar vuajtjet e tyre. Lista shkon shumë e gjatë.”

Në mbështetje të shëndetësisë shqiptare marsin e kaluar erdhën edhe shtete fqinje, 26  persona të dëmtuar rëndë u nisëm menjëherë për kurim në Itali, ndërsa disa të tjerë u nisën në drejtim të Greqisë. Duke përshëndetur ndihmën e madhe të dhënë nga spitali Ushtarak dhe qendra e Traumës, Godo deklaroi se një tjetër qendër e tillë e specializuar do të ngrihet edhe në QSUT./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri

Montazh: Vilma Halilaj