Muzika më e mirë botërore nga kjo e diel do të vijë në shtëpinë tuaj përmes ekranit të Televizionit Klan.

Gjithçka po bëhet gati për të sjellë produksionin më të ri televiziv, që do të flasë vetëm në gjuhën e tingujve dhe poezisë së fjalëve.

“100 Këngë nga Bota” do të vijë nga treshja që çdo spektakël televiziv, ku shpërfaqen vlerat e vërteta artistike, kanë shënuar rekorde shikueshmërie, duke i bërë mjaft të dashura për publikun.

Regjisori Bledi Laço, Adrian Hila, dhe Pandi Laço i rikthyer si moderator, premtojnë të diela emocionuese dhe që do ju mbajnë mbërthyer në ekran.

“Vijnë zhanera të ndryshme të muzikës. Koloriti i të gjithë muzikës së botës. Do të jetë nata napoletane kjo e para. Pastaj do vijë nata greke, nata e muzikës british, jazz, bluz, e kështu me radhë”, tha Pandi Laço.  

Nuk do të jetë vetëm, sepse Marsela Çibukaj, në skenën e “100 Këngë nga Bota”, do të ngjitet jo vetëm si artiste, por krah Pandi Laços si bashkëmoderatorë.

“Është emocion i dyfishtë dhe sigurisht përgjegjësi e dyfishtë. Është projekt shumë i bukur. Mezi pres të këndojmë dhe gëzojmë të gjithë sëbashku”, tha ajo.

Nata e parë do t’i kushtohet, muzikës napoletane.

“Natën e parë do të jetë Eneda Tarifa, Juliana Pasha, do të jetë Armaldo Kllogjeri. Një nga zërat më të shkëlqyer do të jetë edhe Josif Gjipali”, tha Pandi Laço.

“Do të jenë këngë nga e gjithë bota. Napoli është shtet më vete dhe me siguri merr pjesë të veçantë në zemrën time”, tha Marsela Çibukaj.

“Unë i kam shumë qejf këngët napoletane sepse ngjasojnë shumë me traditën tonë muzikore. Janë këngë të gëzueshme dhe kam zgjedhur dy këngë që i kam kënduar para shumë vitesh”, tha Juliana Pasha.

“Për mua është shumë bukur dhe emocionuese të performoj. Këngët napoletane vërtetë janë popullore, por në mënyrën e të kënduarit kanë një mënyrë edhe më pak klasike, të impostuar”, tha Armaldo Kllogjeri.

Dhe nuk mund të mungonte një i ftuar special nga Napoli, artisti Walter Ricci.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme sepse energjia që gjej këtu është energjia pothuajse e njëjtë që gjej në qytetin tim, Napoli”, tha Walter Ricci.

Do të jenë 12 të diela, shumë artistë të njohur shqiptarë që do të interpretojnë live të shoqëruar nga një super bandë, dhe të ftuar special.

“Është vërtetë një përgjegjësi e madhe sidomos kur bëhet fjalë që do jemi duke shoqëruar artistët më të mirë shqiptarë dhe vërtetë e ndjejmë peshën e kësaj përgjegjësie”, tha Arbër Koçllari, drejtues i orkestrës.

“100 Këngë nga Bota” nga 6 Tetori do të vijë çdo të diel në orën 21:00 në ekranin e shqiptarëve, Tv Klan, ndërsa publiku ka mundësinë për të rezervuar vendin e tij dhe për t’i shijuar nga teatri i Tv Klan, këngët që i flasin ndjenjave dhe kujtimeve.

Tv Klan