Për gati 15 muaj, Evan Gershkovich ka qenë i mbyllur në një burg në Moskë. Gjyqi ndaj gazetarit të Wall Street Journal ka filluar këtë  të mërkurë, për akuza për spiunazh, të cilat ai dhe qeveria amerikane i hedhin poshtë si të motivuara politikisht. Me kokën e rruajtur, i veshur me një këmishë dhe xhinse, Gershkovich qëndronte në kafazin prej metali dhe xhami. Ai buzëqeshi para kamerave, por nuk bëri asnjë koment.

Gjyqi ndaj tij po mbahet me dyer të mbyllura në një gjykatë në Jekaterinburg, në qytetin Ural, ku Gershkovich u arrestua më 29 mars 2023 gjatë një vizite për një reportazh dhe u akuza se tentoi të siguronte të dhëna të fshehta ushtarake. Mediat, miqtë, anëtarët e familjes e as pjesëtarë të Ambasadës amerikane nuk lejohen të marrin pjesë në seancat gjyqësore.

Gershkovich, i lindur në Amerikë nga prindër emigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik, është gazetari i parë amerikanë që arrestohet për akuzat për spiunazh në Rusi prej Luftës së Ftohtë. Ai rrezikon të dënohet me burgim deri në 20 vjet, nëse shpallet fajtor. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë asnjë dëshmi për t’i mbështetur akuzat ndaj tij për spiunazh. Prokurorët thonë se gazetari i Wall Street Journal ka mbledhur informacione sekrete me urdhër të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së për një kompani që prodhon tanke për luftën e Rusisë në Ukrainë.

SHBA e ka cilësuar Gershkovich dhe një tjetër amerikan të burgosur, Paul Whelan, si të arrestuar gabimisht dhe thotë se është e angazhuar për t’i sjellë ata në shtëpi.

Një gazetare tjetër, ruso-amerikanja Alsu Kurmasheva u arrestua vitin e kaluar dhe është në pritje të gjyqit me akuzat për shkelje të ligjit të “agjentëve të huaj” të Rusisë dhe përhapjen e informacionit të rremë për forcat e armatosura, të cilat ajo i mohon. Në fillim të këtij muaji, një studiues francez, Laurent Vinatier , u arrestua dhe u akuzua se nuk u regjistrua si agjent i huaj ndërsa mblidhte informacione për ushtrinë ruse.

Klan News