24 urdhërarreste janë firmosur nga Prokuroria e Tiranës për shpërndarje të lëndëve narkotike. Policia ka vënë në pranga 19 ndërkohë që 5 të tjerë janë të shpallur në kërkim. Gjatë operacionit uniformat blu kanë sekuestruar 1.2 kilogram kokainë dhe qindra doza heroine dhe kanabisi.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit bashkëpunonin me njëri-tjetrin herë pas herë për sigurimin dhe shpërndarjen e drogës. Detajet për operacionin i bëri të ditura drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj gjatë një konference për shtyp.

“Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;  qindra doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kanabis; 12 celularë; 5 automjete; shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.” 

Klan Neës ka siguruar emrat e personave të cilët janë vënë në pranga. Mes tyre masë e dytë sigurie i është komunikuar edhe Armando Xheladini, alias Jetnor Cinallari, alias, Armando Tarushllari i arrestuar në maj të këtij viti për vrasje me dashje për një krim të ndodhur në Greqi. 

Ai u arrestua së bashku me Gëzim Latjen për vrasjen e 25-vjeçarit Arjan Xhambazi në Athinë në vitin 2008.

Ky operacion vjen në kuadër të planit të masave që ka marrë policia për të shmangur shitjen e drograve pranë shkollave. 

Klan News