Në Konferencën “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me bilancin e 3 muajve të parë të këtij viti sa i takon vizitorëve të huaj në vend. 65% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë.


“Më vjen mirë që sot jemi mbledhur me të gjitha nivelet instuticonale të vendit dhe përfaqësuesit e industrisë së turizmit për të vendosur disa pika mbi “i” lidhur me sezonin turistik, ose më saktë me pikun sepse tanimë nuk kemi një Shqipëri të ndarë në një periudhë me ose pa turizëm. E ka të shtrirë në 365 ditë aktivitetin që lidhet me turizmin. Në periudhën e parë të vitit jemi përballur me një rritje befasuese të numrit të vizitorëve të huaj, i cili në Janar-Shkurt dhe Mars të mbledhura sëëbashku është 65% më i lartë. Në Mars 2024, 90% më shumë turistë se Marsin e vitit të kaluar. Një zhvillim shumë i shpejtë dhe rritje e numrit të turistëve që zhgënjen të gjitha pritshmëritë më optimiste, pra që është më e lartë se këto të fundit. Në një takim me operatorë turistikë në Durrës, ata shpreheshin të kënaqur që shifra e vizitorëve kishte arritur në 5 mln, dhe u thashë mos u çuditni kur pas 5 vitesh të shkojë në 10 mln.”

Nisur nga situata aktuale, pritshmëritë në këtë sektor sa vijnë e shtohen.

“Nëse i kthehem objektivit tonë shumë ambicioz për të pasur 20 mln turistë në 2030-ën, kam frikë se do gaboja pasi do na duhet të shohim këtë vit, dhe vitin e ardhshëm për të pasur më shumë siguri për projeksionin. Nuk është absolutisht marrëzi të mendosh që shifra e 20 mln turistëve do të arrihet shumë më përpara, dhe në 2030-ën, kërkesa mund të arrijë deri në 30 mln. Por kur flasim për rritjen e kërkesës, nuk duhet të harrojmë ofertën, çfarë ne ofrojmë sot dhe vit pas viti që oferta t’i përgjigjet rritjes dhe natyrës së kërkesës. Këtu vijmë te arsyeja e këtij takimi dhe nevoja për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që bëjmë ne të gjithë në të gjitha shkallët e instuticioneve dhe të gjithë ndërveprimin e sektorit privat, për të garantuar që kjo kërkesë të mos goditet nga mungesa apo cilësia e ulët e ofertës. Duhet të jemi shumë të shqetësuar për këtë rrezik.”

“Ne nuk na duhet një Shqipëri, destinacion i turizmit masiv. Nuk na duhet thjesht të rrisim numrin, na duhet një vend që likuidion të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistvë dhe arrin të formulojë një ofertë ku nuk janë numrat në plan të parë ata që kanë rëndësi, por cilësia e numrave”, theksoi kreu i qeverisë.

Ai shtoi se Shqipëria ka marrë 4.2 miliardë euro prej turizmit në 2023-in.

“Është një para, që pa prekur asnjë cent shkon te familjet. Ne kemi qenë liberalë dhe terësisht të vetëdijshëm se nuk është ky momenti për t’i ngacmuar familjet me taksa për këtë pjesë. Por, këto janë të ardhura të jashtëzakonshme. Një pjesë e këtyre të ardhurave kanë influencuar pagat e industrisë.”/tvklan.al