Pas disa ditësh proteste të banorëve të Fushë-Krujës dhe Krujës, ministria e Infrastrukturës ka dakordësuar me ta një zgjidhje provizore si dalje në autostradën Thumanë-Kashar.

“Në mënyrë provizore ata do ta aksesojnë mbikalimin ekzistues të Gramzës me një rampë të dedikuar që do të ndërtohet për ata në javët në vazhdim”, tha zv/kryeministrja Balluku.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës në interpelancën e thirrur në parlament nga deputetë të opozitës shpjegon se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare për të gjithë banorët e kësaj zone për përdorimin e këtij aksi.

“Do kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin e plotë në zonën e hyrjes së Thumanës dhe atëherë do të pushojë të kemi zgjidhjen provizore. Megjithatë me banorët e Thumanës kemi rënë dakord edhe për diçka tjetër, që në rast se ata do ta shikojnë të arsyeshme, por që këtu duhet të ketë edhe një marrëveshje midis komunitetit pasi ka disa shtëpi që ndodhen pranë mbikalimit të Gramzës dhe do të gjendet një gjuhë me bashkëqytetarët e tyre, ne mund të konsiderojmë që dhe mbikalimin e Gramzës në të ardhmen ta kthejmë në një nyje permanente, duke i dhënë Thumanës  jo një akses që është i parashikuar qartazi në projekt që është ai nga Thumana në Milot, por edhe një akses tjetër 4 kilometra më tutje që është ai i Gramzës që do të përdoret për momentin në mënyrë provizore”, tha Balluku.

Balluku duke iu përgjigjur akuzave të kundërshtarëve demokratë shpjegon se rruga alternative pa pagesë ekziston edhe pse është më e gjatë është e hapur për t’u përdorur nga automjetet që nuk duan të paguajnë tarifën për autostradën.

Tv Klan