Denoncimi i bërë nga një qytetar nga Kosova se një gjobë që kishte paguar nuk rezultonte e shlyer, ka nisur hetimin që çoi në masa sigurimi 22 efektivë policie të Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autostradave. Ata dyshohen për vjedhje dhe shpërdorim detyre.

Sipas hetimeve të kryera nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore në 9 muaj, kanë kaluar në sitë një sërë rastesh të ngjashme, të kryera gjatë vitit 2023.

Në 160 raste, efektivët e policisë të marrë nën hetim, u kanë marrë shoferëve të huaj paratë, por duke mos bërë më pas shlyerjen për gjobat që varionin nga 20-50 mijë Lekë.

AMP tha zyrtarisht dje se punonjësit e policisë kanë keqpërdorur aksesin në sistemet dhe databazat e Policisë së Shtetit.

Ata konstatonin shkeljen, administronin shumën monetare duke i dhënë drejtuesit të mjetit procesverbalin përkatës dhe në vijim nuk kryenin arkëtimet.

Dhe kjo gjë është bërë me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat administrative, në shumën prej 2.200.000 Lekë.

Tv Klan