Një histori e rrallë vjen sonte në “Opinion”. Sumeja dhe Krenare Kodra janë dy vajza kosovare të cilat për fat të keq nuk e panë kurrë babin e tyre. Ilaz Kodra, babai i tyre ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare, 20 vite më parë së bashku me kunatën e tij. Ai luftoi për dy vite krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku dha jetën për të shpëtuar vendlindjen e tij.

“Fatkeqësisht me babin se kam asnjë kujtim!”, thotë njëra prej vajzave në nisje të intervistës.

Bashkëshortja e Ilaz Kodrës, Kimetja, rrëfen momentet me të duke treguar dhomat e shtëpisë-muze, ku më kryesorja është “Oda e Burrave”.

“Këtu janë mbajtur takimet e themeluesve të UÇK-së, prej nga ka buruar nisma e themelimit të shtetit që gëzojmë sot.Këtu janë marrë vendime, 10 vite para 1997-ës. Në vitin 1991 ai shkoi për një stërvitje ushtarake, në atë kohë me Adem Jasharin, Sahit Jasharin, Fadil Kodrën dhe Murat Jasharin.”

Me trishtim, Kimetja kujtoi se në të njëjtën ditë, më 30 Prill 1999, humbi dhe motrën e saj. Kujtimet e fundit që i kanë mbetur janë dy çanta dhe një fashë.

Ilazi ishte komandant i zonës, motra ushtare. Shumë e re në moshë, po vazhdonte shkollën e Mesme për mjekësi. Po deshi të shkonte nëpër male, të jepte kontributin e saj.”/tvklan.al