Një instrument elektronik do të masë për herë të parë në Shqipëri treguesit e cilësisë të shërbimeve spitalore. Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore ka zgjedhur këtë metodë të re për të përcaktuar dhe akreditimin e spitaleve.

Isuf Kalo: “Spitalet nuk e kanë pas vlerësuar procesin e matjes së performacnës së tyre. Nuk ka qenë e qartë si do matet kjo, mbi ç’tregues do matet. Spitalit ne i kemi bërë një mjet elektronik, një DVD një CD pra një instrument elektronik, me të cilin do përdoret në gjitha spitalet ku është treguar definicioni e mënyra si do mblidhen të dhënat. Kjo do të bëjë që të dhënat kryesore të mblidhen mbi definicion të përbashkët dhe kështu do kemi mundësi qoftë të masim performancat, qoftë edhe të krahasojmë kush është spitali me performancën me të mirë. Kjo do t’i duhet besoj ISKSH-së që të vlerësojë që kush spital është i suksesshëm, kush spital është produktiv, kush është më i miri.”

Kjo formë e re e matjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor është bërë publike për drejtuesit e spitaleve nga MSH dhe qendra e akreditimit të institucioneve shëndetësore.

Ky instrument elektronik rezulton të jetë një mjet efikas në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për cilësinë e shërbimit të ofruar në spitale./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi