Lajme Arkiva 2003

Dy të vdekur dhe tre të plagosur pjesëtarë të një familje është bilanci i një aksidenti në orët e pasdites së djeshme në rrugën Përrenjas-Librazhd. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 minuta ku një automjet tip Benz me targë Tirane, i drejtuar nga B.H., 46 vjeç pas një avarie ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Si pasojë kanë gjetur vdekjen R.H., 70 vjeç dhe L.H., 40 vjeç, ndërsa drejtuesi i mjetit së bashku me dy pasagjerë të tjerë, at e bir janë aksidentuar rëndë dhe nga spitalet e Librazhdit janë nisur për në spitalet e Tiranës. Mësohet se të gjithë familjarët po ktheheshin nga Korça ku kishin marrë pjesë në një dasmë.

Burime nga spitali i Librazhdit thanë se dy të aksidentuarit e tjerë një 32 vjeçar i cili mësohet të ketë qenë vëllai i shoferit bashkë me djalin e tij 4 vjeç e gjysmë janë nisur drejt Tiranës me një autoambulancë të spitalit të Librazhdit .

Drejtuesi i automjetit edhe pse i ndaluar nga policia vazhdon të mjekohet në një nga dhomat e izolimit, pasi mësohet të ketë fraktura dhe shenja të ndryshme në trup. Ndërkohë shirat e ditës së djeshme kanë sjellë bllokime të rrugës nacionale sidomos në pjesën nga Qukësi i Librazhdit deri në Labinot të Elbasanit ku prurjet e gurit kanë sjellë masa dherash gurësh dhe inertesh në rrugë, ndërsa në afërsi të fshatit Labinot-Fushë midis Xibrakës dhe Labinot fushës si pasojë e dherave të rëna në linjën hekurudhore ka dalë nga shina lokomotiva e trenit të pasagjerëve të linjës Pogradec-Tiranë./tvklan.al